Gjykata Komerciale ka vendosur të reduktojë orarin e punës si rezultat i temperaturave të larta dhe mungesës së sistemit funksional të klimatizimit.
Sipas njoftimit të Gjykatës, orari i punës do të jetë nga ora 08:00-14:00.
“Shërbimet administrative do të vazhdojnë të jenë funksionale edhe pas orës 14:00, me staf të reduktuar, sipas rotacionit të përcaktuar nga udhëheqësit përkatës. Seancat gjyqësore të planifikuara pas orës 14:00 do të mbahen sipas orarit të paraparë, përveç në rastet kur gjyqtari i çështjes, vlerëson se kushtet nuk janë të përshtatshme për zhvillimin e tyre”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, stafi që vuan nga sëmundje kronike do të lirohet nga detyrat e punës duke filluar nga ora 12:00.
Këto masa thuhet se kanë karakter të përkohshëm dhe do të rishikohen vazhdimisht, në përputhje me zhvillimet klimatike dhe vlerësimet e menaxhmentit të gjykatës.
Zbatimi i këtyre masave do të vazhdojë deri më 25 korrik 2025, me mundësi zgjatjeje ose ndryshimi, sipas nevojës.
“Vendimi për ndërmarrjen e këtyre masave ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së stafit gjyqësor, administrativ, si dhe të palëve pjesëmarrëse në gjykatë, si pasojë e kushteve të vështira të punës, të krijuara nga temperaturat e larta dhe mungesa e klimatizimit”, thuhet në njoftim.