Gjykata Kushtetuese, në fillim të kësaj jave, ka filluar ta shqyrtojë kërkesën e kryeministrit AlbinKurti dhe të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Këtë e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula.
Dula u shpreh lënda ka hyrë në fazën e shqyrtimit.
“Pas pranimit të komenteve nga palët e interesit fundjavën e kaluar dhe kompletimit të dosjes, në fillim të kësaj jave lënda ka kaluar në fazën e shqyrtimit.”, tha Dula.
Kujtojmë, që Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
Gjykata vlerëson se masa e përkohshme “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.
“Gjykata vlerëson se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve të lartcekura është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, u thanë vendimin e Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme.
Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, ndërsa Kuvendi nuk mund ta vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.
Në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër konsensual, nuk kishin dhënë fryt.
Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.
Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe e mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme.
