Gjykata në Tetovë njeh Selën si kryetar të ASH-së, pas përplasjeve brenda partisë

Gjykata në Tetovë njeh Selën si kryetar të ASH-së, pas përplasjeve brenda partisë

Gjykata Themelore në Tetovë ka njoftuar të mërkurën se kryetari legjitim i partisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Aleanca për Shqiptarët (ASH), është Ziadin Sela, dhe se vulat zyrtare të partisë i takojnë atij dhe grupit politik që ai udhëheq.

Vendimi, i cili u publikua të mërkurën, bazohet në nenet e statutit të partisë, ku përcaktohet mënyra e shkarkimit dhe zgjedhjes së kryetarit të ri.

“Kështu, në regjistrin gjyqësor të partive politike, shënohet Ziadin Sela nga Struga si kryetar i partisë, në vend të kryetarit të deritanishëm Arben Taravari nga Gostivari”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Me këtë, gjykata ka njohur vendimin e kongresit, të mbajtur vitin e kaluar, nga krahu i Selës, i cili e rizgjodhi atë si lider, duke shkarkuar ish-kryetarin, Arben Taravarin.

Si u nda partia?

Përplasjet brenda Aleancës për Shqiptarët (ASH) nisën pak para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024.

Taravari, në atë kohë kryetar i partisë, vendosi të garojë në zgjedhje në koalicion me opozitën shqiptare VLEN. Ndërkohë, Ziadin Sela, i cili mbante postin e kryetarit të Kuvendit të partisë, e kundërshtoi këtë lëvizje, duke e akuzuar Taravarin për përçarje të partisë.

Si rezultat, partia u nda në dy fraksione: njëri i udhëhequr nga Sela, i cili u bashkua më vonë me koalicionin “Fronti Evropian” të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI); dhe tjetri i drejtuar nga Taravari, që vazhdoi me opozitën shqiptare, tani në pushtet.

Të dy krahët organizuan kongrese të veçanta, ku secili rizgjodhi liderin e vet si kryetar të partisë.

Në vitin 2022, Ziadin Sela kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryetari të Aleancës për Shqiptarët pas disfatës së partisë së tij në zgjedhjet për këshillin komunal në Tetovë, duke i lëshuar kështu vendin Taravarit.

Reagime pas vendimit të Gjykatës

Krahu i Taravarit e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa zëvendëskryeministri Arben Fetai, që mbështet Taravarin, akuzoi gjykatësin Ilir Rexhepi për anshmëri politike.

“Vendimi skandaloz i gjykatësit Rexhepi do të rrëzohet përsëri në Gjykatën e Apelit. Deri në një vendim përfundimtar që do të vendos drejtësi në vend, e lëmë Selën dhe klikën e tij, të vetëkënaqen me vulat imagjinare të gjykatësit Rexhepi dhe me karamelet e Ali Ahmetit”, deklaroi Fetai.

Ai shtoi se ndaj gjykatësit do të ngritet procedurë për llogaridhënie.

Sipas ligjit, ankesa duhet të dorëzohet brenda 15 ditëve në Gjykatën e Apelit, përndryshe vendimi bëhet përfundimtar.

Palët, vazhdimisht kanë shkëmbyer akuza për presion ndaj gjykatësve dhe ndërrimin e tyre me qëllim sjelljen e vendimeve në favor të interesave subjektive.

Në anën tjetër, Sela, në një deklaratë për media, pas vendimit, shprehu besimin se edhe Gjykata e Apelit do ta konfirmojë këtë vendim.

“Ne presim që edhe në shkallën e dytë ta fitojmë këtë çështje dhe, për hir të vërtetës, sa më shpejt që të marrë epilog kjo çështje, besoni se më i qartë do të jetë veprimi politik jo vetëm i ASH-së, por për të gjithë partitë në Maqedoni të Veriut. Ka një tendencë për të futur një kaos politik te partitë shqiptare”, deklaroi Sela.

Related Articles