Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative ka refuzuar kërkesën e Besim Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Vendimi është marrë më 4 dhjetor nga gjyqtarja Valbona Gjonbalaj, pasi Gjykata konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së përkohshme, të parapara në nenet 99 dhe 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative.
Përmes përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Flakron Sylejmani, Besim Kelmendi kishte paraqitur padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së, dhe njëkohësisht kishte kërkuar: Pezullimin e zbatimit të këtij vendimi, si masë të përkohshme sigurie dhe rikthimin e tij në detyrën e u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, deri në vendosjen meritor dhe përfundimtare të gjykatës.
Kelmendi pretendonte se vendimi i KPK-së ishte marrë pa kuorum dhe pa respektim të procedurave ligjore, gjatë një takimi të dytë të mbajtur më 20 nëntor. Sipas tij, shkarkimi i tillë i shkaktonte dëm të rëndë, të menjëhershëm dhe të pakthyeshëm, përfshirë dëm reputacional dhe profesional, dhe krijonte pasiguri institucionale në udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit. Ai argumentonte se pezullimi i vendimit nuk cenonte interesin publik, por përkundrazi e mbronte sundimin e ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
