Trupi gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka vendosur që Rexhep Selimit t’i vazhdohet paraburgimi.
Ky panel gjyqësor përbëhet nga kryetari i trupit gjykues – Charles L. Smith III, Christoph Barthe dhe Guénawl Mettraux – anëtarë të trupit gjykues dhe Fergal Gaynor – gjyqtar rezervë.
Gjykata Speciale argumenton se paraburgimi i Selimit mbetet proporcional duke iu referuar gjetjeve të mëparshme të panelit.
Trupi gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që i pandehuri Rexhep Selimi të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera kundër atyre që konsiderohen se janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku përfshihen dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi, mund të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore ose që pritet të paraqiten në gjykatë, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, marrë parasysh faktin se ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme për pengimin e procedurës dhe kryerjen e krimeve të mëtejshme, asnjëra prej të cilave nuk mund të zbutet mjaftueshëm me zbatimin e masave të arsyeshme alternative. Paneli konstaton se paraburgimi i Selimit edhe për dy muaj të tjerë, është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit.
Vendimin e plotë publik në gjuhën angleze, mund ta gjeni këtu.