Gjykata Speciale ka bërë të ditur se 16 dhjetori 2022 është caktuar si datë për shpalljen e aktgjykimit lidhur me rastin e Salih Mustafës.
“Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës, më 16 dhjetor 2022 në orën 9:00”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Prokurori i Specializuar e akuzon Salih Mustafën për përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në rajonin Gollak të Kosovës.
Sipas aktakuzës “afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash”,
Akuzat janë si më poshtë:
KATËR AKUZA PËR KRIME LUFTE
• Ndalim arbitrar (Pika 1)
• Trajtim mizor (Pika 2)
• Torturë (Pika 3)
• Vrasje e paligjshme (Pika 4)