Gjykata Supreme e SHBA-së ka refuzuar të mërkurën ta lejojë administratën e presidentit Donald Trump t’i ndalojë pagesat për organizatat e huaja të ndihmës për punën që kanë kryer tashmë për qeverinë, ndërsa presidenti republikan po merr masa që të hiqet dorë nga projektet humanitare amerikane në mbarë botën, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.
Duke i vendosur një pengesë Trumpit, gjykata mbështeti urdhrin e gjykatësit të qarkut në Uashington, Amir Ali, që i kishte bërë thirrje administratës që të zhbllokonte menjëherë fondet për kontraktorët dhe përfituesit e granteve nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Departamenti i Shtetit për punët e tyre të deritanishme.
Kryegjyqtari John Roberts dhe kolegja konservatore, Amy Coney Barrett, u bashkuan me tre anëtarët liberalë të gjykatës që të bënin shumicën në refuzmin e kërkesës së administratës Trump. Gjyqtarët konservatorë Samuel Alito, Clarence Thomas, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh kundërshtuan vendimin.
Urdhri i Aliut, i cili po merret me një sfidë ligjore të vazhdueshme ndaj politikës së Trumpit, fillimisht i kishte dhënë afat administratës deri më 26.02.2025 për shpërndarjen e fondeve, për të cilat thuhet se arrinin rreth 2 miliardë dollarë që mund të duhen javë për t’u paguar plotësisht.
Roberts e shfuqizoi atë urdhër disa orë përpara afatit të mesnatës për t’i dhënë Gjykatës së Lartë kohë shtesë për të shqyrtuar kërkesën më formale të administratës për bllokimin e vendimit të Aliut. Shumica konservatore e Gjykatës së Lartë, apo 6 me 3, përfshin tre gjyqtarë të emëruar nga Trump gjatë mandatit të parë presidencial.
Gjykata nuk dha një arsyetim për urdhrin e saj të panënshkruar të mërkurën. Me skadimin e afatit fillestar, gjykata e udhëzoi Aliun që të “qartësojë se cilat detyrime duhet të përmbushë qeveria për të siguruar respektimin e urdhrit të përkohshëm të ndalimit, duke pasur parasysh mundësinë e çdo afati përputhshmërie”.
Aliu ka caktuar të enjten seancën për kërkesën e palëve paditëse për masën e përkohshme.