Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, avokati Gregory Kehoe kërkoi nga gjykata që të urdhërojë Zyrën e Prokurorit të Specializuar të dorëzojë informacione mbi zhvendosjen e dëshmitarëve.
Avokati i ish presidentit Thaçi tha se çështje të tilla lidhen me provat që do të paraqes prokuroria.
“Ne e dimë që ZPS i ka zhvendosur dëshmitarët, e dimë që edhe në dhjetor të vitit 2020 zoti Smith u ka thënë diplomatëve se ka pasur 37 kërkesa për zhvendosje të dëshmitarëve, sa të tjerë janë bërë pas kësaj, çfarë shtysa u janë vënë dëshmitarëve për t’i nxitur të dëshmojnë. Për ne që jemi përfshirë shembull në çështje gjyqësore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare me individë nga Kenia, kemi parë ndryshime të mëdha në deklarata te të njëjtët dëshmitarë por kur janë dhënë këto deklarata, para momentit të zhvendosjes, pra gjetjes së një vendbanimi të ri, dhe pas kësaj zhvendosje, të gjitha këto janë aspekte të cilat kanë lidhje me provat që do të paraqes prokuroria dhe unë i kam diskutuar këtë jo më larg se sot me kolegët”, tha ai, raporton KP.
Kehoe tha se nuk kanë marrë asnjë informacion lidhur me këtë çështje.
“Nuk kemi marrë asnjë informacion sa i takon kërkesave për zhvendosje të dëshmitarëve, vendbanimit të dëshmitarëve, ky është problem sepse e dimë që është duke u bërë dhe gjykata duhet ti jap urdhër ZPS-së që të na dorëzojë këtë informacion, ky informacion duhet të na jepet. Madje as nuk thonë që po e bëjnë këtë, e vetmja gjë që dimë është se zoti Smith u ka thënë diplomatëve në dhjetor të 2020-ës që ka kërkesa të tilla… (përmbajtje e redaktuar)”, ka thënë avokati Kehoe.
Pas kësaj konferenca në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon me përmbajtje të redaktuar dhe e mbyllur për publikun.