Gjykata Themelore i jep të drejtë Ministrisë së Kulturës për sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë

Gjykata Themelore i jep të drejtë Ministrisë së Kulturës për sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e komunës për pezullimin e vendimeve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.

Në aktvendimin e shpallur më 8 gusht, gjykata ka konstatuar se kërkesa e komunës për masë të sigurisë dhe shtyrje të ekzekutimit të vendimeve është e pabazuar.

Lajmi u bë i ditur nga Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një projekt që ka shkelje të shumta ligjore dhe se Ministria ka qenë konsistente në qëndrimin e saj që nga fillimi.

“Nga fillimi ju kemi treguar që janë duke e shkelur ligjin me dy këmbë. Por ata vazhduan me qasjen e tyre shpërfillëse, e për më keq, na akuzuan për bllokim,” shtoi Çeku.

Ministri në detyrë deklaroi se projekti i Komunës nuk ka kaluar nëpër procedurat e nevojshme ligjore.

“Nuk i morën lejet e nevojshme, nuk i konsultuan banorët, nuk i zgjidhën çështjet pronësore, lidhën kontratë të kundërligjshme, gjykata dy herë ua refuzoi kërkesën për pezullim”, tha ai.

Çeku theksoi se zgjidhjet për Prishtinën duhet të jenë të ligjshme dhe të bazuara në vizion të qartë zhvillimor.

“Zgjidhjet e qëndrueshme për Prishtinën do të nisin pas 12 Tetorit. Me vizion zhvillimor dhe me ligjshmëri të plotë”, ka shkruar ministri në detyrë, njëherit kandidati i LVV-së për kryetar të ardhshëm të Prishtinës.

Related Articles