Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, e ka rrëzuar për të dytën herë aktakuzën ndaj tre të pandehurve G.S, B.S dhe M.S, të akuzuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në muajin qershor të vitit 2022.
Një vendim i tillë për hudhje të aktakuzës është marrë më 12 janar 2023 nga gjyqtari Adnan Isufi, ku sipas tij, aktakuza në raport me të pandehurit e lartcekur është e paplotë.
“Hudhet aktakuza PP…. në pikën IV lidhur me të pandehurin G.S dhe B.S dhe në pikën VIII lidhur me të pandehurin M.S- Për shkak se Parashtesa- Aktakuza PP…të dt. 21.12.2022 është e pa plotë”, thuhet në vendimin e Themelores, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“.
Mirëpo, një vendim i tillë ka qenë i papranueshëm për Gjykatën e Apelit, pasi më 26 janar 2023, kolegji i përbërë nga gjyqtarët Hashim Çollaku kryetar i kolegjit, Xhevdet Abazi dhe Ferit Osmani anëtarë, ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e kthyer çështjen penale në gjykatën e shkallës së parë, në rivendosje.
Ndryshe, në këtë rast janë të përfshirë tetë persona B.Rr., D.Rr., G.S., B.S., M.S., F.S., M.R., dhe E.S, të cilët sipas Prokurorisë janë të akuzuar për vepra të ndryshme penale, e të cilët ngarkohen për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, transmeton Klankosova.tv.
Në vendimin e Themelores, i cili është marrë më 12 janar 2023, thuhet se gjykata me rastin e shqyrtimit të aktakuzës është e kufizuar që të mos paragjykojë epilogun e çështjes penale në meritum dhe në vlerësimin e plotë dhe përfundimtar të kualifikimit të veprës penale.
“Derisa gjykimi ende nuk ka filluar, Gjykata nuk e ka gjithashtu të mundur të vlerësojë nëse gjendja faktike është e provuar në mënyrë të plotë dhe përtej çdo dyshimi në bazë të provave, sepse kjo do të ishte krejtësisht paragjykuese për epilogun e gjykimit”, thuhet në vendim.
Por, sipas vendimit të Themelores, gjykata ka gjetur se akti akuzues – objekt shqyrtimi, në pikën IV lidhur me të pandehurit G.S dhe B.S dhe në pikën VIII lidhur me të pandehurin M.R., nuk është përpiluar në pajtim me nenin 241 të KPRK-së, përkatësisht akti akuzues është i paplotësuar.
Tutje, në këtë vendim thuhet se aktakuza përkatësisht propozimi në pikat e lartcekura nuk është mjaftueshëm i qartë, është i ngatërrueshëm dhe përshkrimi faktik nuk përputhet qartazi me kualifikimin juridik të veprave penale.
Sipas gjykatës, shkuarja me lehtësi në shqyrtim gjyqësor ndaj personave të dyshuar mbi bazën e një akti akuzues, i cili nuk ndan saktësisht veprimet inkriminuese të secilit person të dyshuar dhe kur përshkrimi faktik qartazi nuk përputhet me kualifikimin juridik, përbën shkelje jo vetëm të dispozitave të procedurës penale, por edhe të të drejtave të njeriut dhe administrim jo të duhur të drejtësisë.
Sipas gjyqtarit Isufi, është detyrë e Prokurorisë së Shtetit që të kryejë hetimin në fazat para ngritjes së aktakuzës dhe të sigurojë të gjitha provat të cilat provojnë standardin e dyshimit të bazuar mirë.
“Ngritja e aktakuzës në mënyrë që gjatë shqyrtimit gjyqësor të hetohet rasti apo që të përmirësimet të lihen në faza të tjera të procedurës është i papranueshëm”, thuhet në vendim.
Në rastin konkret, sipas vendimit gjykata e ka të pamundur të vlerësojë se cilat janë individualisht veprimet faktike inkriminuese të secilit të pandehur për veprat penale veç e veç për të cilat ngarkohen në pikën IV të aktit akuzues, ndërsa përshkrimi faktik në dispozitivët IV dhe VIII të aktit akuzues ndaj të pandehurve G.S, B.S dhe M.R, qartazi nuk korrespondon me elementet juridike të veprës penale konkrete me të cilën ngarkohen të pandehurit.
Sipas gjykatës, secili person i dyshuar është përgjegjës për veprimet inkriminuese të tij e jo veprimet inkriminuese të personave të tjerë të dyshuar dhe se përgjegjësia penale është individuale.
Sipas vendimit, gjykata bazuar në detyrimet ligjore dhe duke vepruar në zbatimin e drejtë dhe të saktë të dispozitave ligjore dhe me bindje të lirë, e ka vlerësuar me kujdes aktin akuzues dhe ka ardhur në përfundim që të pandehurit G.S, B.S dhe M.R nuk do të mund të deklarohen lidhur me pikën IV, përkatësisht pikën VIII të aktit akuzues, për aq kohë sa akti akuzues përmban mungesat e lartcekura.
“Gjykata konform nenit 442, par.1,3,4, dhe 5 të KPPK-së, hudh aktakuzën në pikën IV lidhur me të pandehurit G.S dhe B.S dhe në pikën VIII lidhur me të pandehurin M.R, në mënyrë që t’i ofrohet mundësia prokurorisë së shtetit që në raport me të pandehurit në fjalë prokuroria të bëjë analizat e nevojshme në mënyrë që të ngrit aktin akuzues të ri”, thuhet në fund të vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.