Gjykata ka vendosur ta veçojë procedurën penale ndaj ministrit të Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars 2018. Ndërkohë, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar për ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Drita Millaku.
Ky vendim u mor pasi Sveçla nuk u paraqit as në seancën e sotme. Gjyqtari i rastit, Sabit Sadikaj, sqaroi se i pandehuri ka njoftuar për mungesën e tij përmes një emaili, ku shpjegon se ndodhet jashtë vendit. Ai shtoi se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore që seanca të vazhdojë me të pandehurit e tjerë.
“Mungesën e ka arsyetuar, i ka dërguar gjykatës email që gjendet jashtë vendit. Pra janë plotësuar kushtet e seancës së shqyrtimit gjyqësor që të vazhdojë me të pandehurit e tjerë”, tha ai.
Avokati i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Laur Preni, kërkoi nga gjykata që të ketë konsideratë dhe mirëkuptim për faktin se klienti i tij mban një detyrë me përgjegjësi të lartë shtetërore. Ai tha se për shkak të funksionit që ushtron, Sveçla jo gjithmonë mund të jetë prezent apo i gatshëm t’u përgjigjet ftesave të gjykatës.
“Kërkoj nga gjykata që të ketë konsideratë dhe mirëkuptim për faktin se i mbrojturi im mban një detyrë me përgjegjësi të lartë si ministër në detyrë i Punëve të Brendshme dhe jo çdo herë mund të jetë prezent apo i gatshëm që t’u përgjigjet ftesave nga gjykata”, tha ai.
Prokurori i rastit, Valdrin Krasniqi, deklaroi se Prokuroria nuk e kundërshton vendimin e gjykatës për veçimin e procedurës ndaj Sveçlës, duke vlerësuar se një vendim i tillë i kontribuon efikasitetit të procedimit të mëtejmë të kësaj çështjeje penale.
“Nuk e kundërshtojmë vendimin e gjykatës, duke vlerësuar që kjo i kontribuon efikasitetit të procedimit të mëtejmë të kësaj çështjeje penale”.
Ndërkaq, i pandehuri Salih Zyba e kundërshtoi veçimin e procedurës ndaj Sveçlës, duke shprehur qëndrimin se ndarja e çështjes nuk është e drejtë.
Kundër këtij vendimi u shpreh edhe mbrojtja e Fitore Pacolli-Dalipit. Avokati i saj, Lavdrim Salihu, tha se në kuptim të provave rasti nuk mund të trajtohet si i ndarë, duke shtuar se ndarja e lëndës do të rezultonte në vështirësim të mbrojtjes efektive për palët. Ai theksoi se vepra penale nuk i afrohet parashkrimit as pas tetë vitesh dhe, sipas tij, parimi i efikasitetit nuk cenohet nga vazhdimi i përbashkët i procedurës.
“E kundërshtoj për shkak se në kuptim të provave, nuk mund t’i cilësojmë si raste të ndara, duke shtuar këtu faktin se një ndarje e serisë së lëndës do të rezultonte në vështirësim të një mbrojtjeje efektive për palët. Konsideroj se për shkak se vepra penale nuk arrin parashkrimin edhe për 8 vite, nuk cenohet parimi i efikasitetit në procedurë”, tha ai.
I pandehuri Salih Zyba kërkoi që seanca të shtyhet, duke arsyetuar se mbrojtja nuk i posedon të gjitha shkresat e lëndës.
