Gjykata Themelore e Ferizajt ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Qëndrim Januzit, i dyshuar për vrasjen e Gazmend Hysenit. Lajmin për Gazetën Express e ka bërë të ditur Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.
Në një bisedë telefonike, kryeprokurori Jashari tha se Januzi po e mban paraburgimin në spital ku edhe është duke u trajtuar.
“Ju ka caktu masa e paraburgimit 30 ditë, për momentin është në spital, masën e mban në spital dhe ruhet nga policia, në momentin kur shërohet plotësisht transferohet në Qendrën e Paraburgimit”, tha Jashari.
Avokati Kastriot Zenuni ka thënë se klienti i tij, Qëndrim Januzi, i cili është i dyshuar për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj, nuk e ka gjendjen shëndetësore shumë të mirë. Në një bisedë për Gazetën Express, avokati Zenuni tha se seanca për caktimin e paraburgimit ndaj tij është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Sipas mjekut ka qenë në gjendje me u përgjigj vetëm me po ose jo. Nuk e kanë marrë në pytje edhe gjatë. Seanca u mbajt brenda objektit të QKUK-së”, tha avokati Zenuni të dielën.
Ai shtoi se Qëndrim Januzi ka lëndime kryesisht në nofull.
Policia ka njoftuar se i dyshuari Qëndrim Januzi është plagosur nga një zyrtar policor në detyrë i cili në ato momente ishte me rroba civile.
“I dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, i cili ka mbetur i vdekur. Një zyrtar policor në detyrë në rroba civile ka intervenuar dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit, ku i njëjti është plagosur”, thuhet në raportin e policisë.
Policia njofton se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për Obduksion, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.