Gjykatësi njofton se Specialja i ka dhënë garanci ish-këshilltarit të UNMIK-ut, por s’tregon për çka bëhet fjalë

Gjykatësi njofton se Specialja i ka dhënë garanci ish-këshilltarit të UNMIK-ut, por s’tregon për çka bëhet fjalë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të martën po vazhdon dëshminë ish-këshilltari juridik i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer, i cili mban kodin W02183 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Këtij dëshmitari, Specialja i ka dhënë garanci, të cilën gjë e përmendi sot kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, por tha që “nuk duhej ta kishte thënë këtë.

“Ju kujtoj gjithashtu se garancitë e dhëna për ju të enjten… ju kërkoj ndjesë nuk duhej ta kisha thënë këtë”, tha Smith.

Megjithatë, nuk u bë e ditur se çfarë garancie i është dhënë këtij dëshmitari.

Pyetjet për këtë dëshmitar i parashtroi mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, i cili u fokusua tek formimi i Këshillit Tranzitor të Kosovës (KTK).

Sa i përket kësaj strukture, Strohmeyer kishte deklaruar se Thaçi i kishte caktuar vetëm emrat nga UÇK-ja. Gjithashtu, kishte shtuar se nuk ka dashur që t’i përfshijë serbët apo grupet e tjera etnike, si dhe ka dashur që të minimizojë ndikimin e grupeve shqiptare të Kosovës siç është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK),

Dëshmitari mohoi se ka dijeni se pjesë e kësaj strukture kishte nga ndërkombëtarë, por tha që kishte edhe shqiptarë të tjerë përveç atyre që i përkisnin UÇK-së.

Gjithashtu, u mor vendim që dëshmitari 02714 mund të dëshmojë përmes video-lidhjes.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Related Articles