Gjykatësit rikthehen në orar të plotë në punë

Gjykatësit rikthehen në orar të plotë në punë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar të premten në mbrëmje se gjykatësit do të kthehen në punë dhe do të marrin pjesë në komisionet dhe grupet tjera ku pjesëmarrja është përcaktuar me legjislacionin në fuqi, duke ndryshuar vendimin e 23 nëntorit me të cilin ishte vendosur për bojkot pasi Qeveria vendosi t’i ulë pagat në sistemin e drejtësisë.

Në një njoftim të KGJK-së megjithatë thuhet se pezullimi i bashkëpunimit me Qeverinë do të vlejë ende.

Në fuqi ka mbetur vendimi i KGJK-së që të kërkohet nga Qeveria anulimi i vendimit për uljen e pagave.

Masa e re e kthimit në punë të plotë, pasi deri tash gjykatat merreshin veç me rastet esenciale, është marrë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë pezulloi vendimin e Qeverisë.

“Në rrethanat e krijuara, Këshilli vlerësoi se gjykatat duhet t’i kthehen punës nga data 3 dhjetor me qëllim që të vazhdojnë ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore për ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftim. “KGjK mbetet e përkushtuar që të mbroj pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor, prandaj mbetet i pa ndryshuar qëndrimi i KGjK-së dhe kryetarëve të gjykatave me të cilin i kërkohet Qeverisë së Republikës së Kosovës që të shfuqizoj vendimin Nr. 03/109, dhe njëkohësisht kërkojnë që qeveria të respektoj kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet në fuqi, për të ruajtur dhe promovuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, përfshirë statusin e gjyqtarëve dhe pagat”.

KGJK-ja ka kërkuar po ashtu që në Ligjin për paga dhe atë për zyrtarët publikë të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e vetërregullimit të pagave brenda sistemit gjyqësor njëkohësisht kërkon që të pranohet statusi i veçantë i administratës gjyqësore, përfshirë çështjen e pagës siç është kërkuar me komente nga KGjK dhe sindikatat.

“Tendencat për ndërhyrje në punën e gjyqësorit përmes vendimeve dhe gjuhës denigruese të përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë të papranueshme, prandaj, pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta do të vazhdojnë derisa të vazhdojnë tendencat e ekzekutivit për cenimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor. Këshilli dhe gjykatat sigurojnë qytetarët e Republikës së Kosovës se janë të vendosur për avancimin e sistemit gjyqësor dhe ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftim të KGJK-së.

Related Articles