Gjykimi i serbit të dyshuar për krime lufte në Vushtrri, dëshmitari thotë se të akuzuarin e pa në vendin ku u vra një plak

Gjykimi i serbit të dyshuar për krime lufte në Vushtrri, dëshmitari thotë se të akuzuarin e pa në vendin ku u vra një plak

Dëshmitari Behram Tahiri deklaroi se në maj të vitit 1999 e kishte parë të akuzuarin Slagjan Trajkoviq duke e rrahur me shqelma e grushte një person tek varrezat e qytetit të Vushtrrisë. Kurse, dëshmitari Ali Zeqiri tha se të akuzuarin e kishte parë në vendin ku nga paramilitarët serbë ishte vrarë një 70-vjeçar.

“Sladani në fillim kur ka ardh, ka rreh shkelma edhe grushta, s’kam mujt me e njoft personin që është rrahur, e Sllagjanin e kam njoftë shumë mirë”, tha Tahiri në rastin ku Trajkovq akuzohet për krime lufte në Komunën e Vushtrrisë.

Po ashtu, Tahiri tha se edhe personalisht kishte marrë një shuplakë nga një paramilitar serb në pjesën e varrezave, por se nuk e kishte njohur personin në fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, Tahiri tha se e njeh mjaft mirë të akuzuarin Trajkoviq pasi që e ka fqinj dhe se në shkollën ku ka qenë sekretar në fshatin Novolan, i akuzuari ishte nxënës.

Dëshmitari tha se në pjesën e varrezave të qytetit të Vushtrrisë ku ishin vendosur ai dhe civilët tjerë, i akuzuari Trajkoviq e kishte marrë dhe ndarë nga të tjerët, duke mos e lejuar të shkonte në kamionin ku flitej se civilët do të pushkatoheshin. Ai shtoi se te ato varreza kishin qëndruar afërisht 10 orë.

Ai thotë se të akuzuarin e kishte parë tek varrezat veshur me uniformë, por që nuk i kishte parë armë.

Pas luftës, Tahiri thotë se e kishte parë të akuzuarin në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë dhe atë në afërsi prej 3-4 metrash nga makina.

Kur e shikoi të akuzuarin Trajkoviq në sallë të gjyqit, dëshmitari tha se i akuzuari tashmë është më i shëndoshë sesa në kohën e luftës.

Në seancë u dëgjua edhe Ali Zeqiri, i cili tha se gjatë kohës së luftës e kishte parë Trajkoviqin të veshur në rroba të paramilitarëve serbë dhe se i njëjti ishte te pjesa e varrezave të qytetit të Vushtrrisë kur nga paramilitarët ishin grumbulluar popullata civile.

Zeqiri po ashtu tha se i akuzuari Trajkoviq e kishte ndaluar në rrugë dhe se i ishte drejtuar me fjalët “Pse po shkruan parulla te varrezat e shqiptarëve UÇK”.

Dëshmitari përshkroi edhe një moment kur paramilitarët serbë e kishin vrarë një plak rreth 70-vjeçar dhe se në vendin ku ishte vrarë ky plak, Zeqiri thotë se e kishte parë edhe vetë të akuzuarin.

Dëshmitari deklaroi se edhe pas luftës kishte parë të akuzuarin veshur me rroba të Policisë së Kosovës dhe se ishin përshëndetur mes vete. Zeqiri thotë se kishte mbetur i befasuar kur e kishte parë atë me rroba të Policisë së Kosovës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Related Articles