Gjykimi për krime lufte ndaj të akuzuarit Trajkoviq – dëshmitari rrëfen maltretimet

Gjykimi për krime lufte ndaj të akuzuarit Trajkoviq – dëshmitari rrëfen maltretimet

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të premte, ka vazhduar dëshminë e tij para trupit gjykues dëshmitari Mustafë Plluzhina në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Sladan Trajkoviq.

Fillimisht, në këtë seancë ishte planifikuar që mbrojtja e të akuzuarit Trajkoviq të marrë në pyetje dëshmitarin Plluzhina, mirëpo mbrojtësi i të akuzuarit Trajkoviq, avokati Dejan Vasiq deklaroi se nuk kishte pyetje për dëshmitarin.

Pyetje për dëshmitarin pati vetë i akuzuari Trajkoviq, i cili pyetjen e tij e ndërlidhi me dëshminë e Plluzhinës nga seanca e kaluar, ku iu drejtua me pyetjen se pasi që kishte liruar nipin e dëshmitarit a i kishte ndihmuar edhe djalit të tij, e poashtu a e kishte parë duke i ndihmuar ndonjë shqiptari tjetër. Dëshmitari Plluzhina iu përgjigj duke i thënë trupit gjykues se ai nuk i ndihmoi.

“Nuk e kam pa që i ka ndihmu edhe dikujt tjetër atë ditë”, tha Plluzhani.

Tutje, i pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni se a kishte diçka tjetër për të shtuar, dëshmitari Plluzhina rrëfeu edhe një pjesë të përjetimeve të tij nga dita kritike.

Ai tha se fillimisht ishin dërguar ne sallën e sportit në Vushtrri ku edhe ishin maltretuar por që nuk kishte arritur të shoh ndokënd, pasi që sipas tij salla ishte e errët dhe pa ndriçim.

Veç kësaj, sipas dëshmitarit Plluzhina, ai ishte pyetur nga komandanti i Policisë Serbe në Vushtrri, Dragan Petroviqi, se a ishte vetëm apo me familje dhe se ku e kishte djalin. Ai tha se ju kam përgjigjur duke i thënë se nuk e di, e më pas ishte dërguar për të dhënë deklaratë, ku ishte detyruar të nënshkruante një vendim që sipas dëshmitarit vetëm pas nënshkrimit e kishte marrë vesh se çka shkruhej në të.

“…në atë vendim shkrujti prej 01 janarit 1999 deri më 18 prill 1999, Mustafë Plluzhina i ka vra 108 ushtarë në Çikatovë…”, tha ai

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Trajkoviq, avokati Vasiq, kërkoi nga trupi gjykues ndërprerjen e masës së paraburgimit për të mbrojturin e tij, kërkesë kjo që u kundërshtua nga prokurorja e rastit Florije Shamolli, e cila ndër të tjera deklaroi se ende ekzistojnë kriteret për të cilat është caktuar kjo masë.

Trupi gjykues nuk e miratoi kërkesën e mbrojtjes dhe ndërpreu seancën e sotme për të vazhduar një datë tjetër, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Related Articles