Gjykimi për vrasjen e 15-vjeçarit dhe babait të tij, flet dëshimtari

Gjykimi për vrasjen e 15-vjeçarit dhe babait të tij, flet dëshimtari

Dëshmitari Driton Muja, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka thënë se deklarata e tij e dhënë në polici më 5 prill 2021, nuk është tërësisht e vërtetë dhe e mohon në disa pika.

Këtë deklarim, Muja e bëri gjatë dhënies së dëshmisë së tij, në rastin ku Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi akuzohen se si rezultat i një mosmarrëveshje pronësore, kanë privuar nga jeta të miturin A.M (15-vjeçar) dhe prindin e tij B.M.

Dëshmitari Muja, i pyetur nga prokurori Bashkim Zeqaj se përveç që ka dëgjuar krismat e armës, a e ka parë se kush ka shkrepur armën, u përgjigj se nuk e ka parë.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer, avokati Haxhi Millaku e pyeti se përse në deklaratën e dhënë në polici ka deklaruar se Xhaferi ka shtënë në drejtim të tyre, kurse Muja tha se nuk e di se kush e ka shkrepur armën dhe se gjatë dhënies së asaj deklarate ka qenë jo i vetëdijshëm.

Muja, deklaroi se në natën kritike të akuzuarit i ka identifikuar pasi që të njëjtit kishin pasur drita në kokë dhe sipas tij ata kanë shkrepur armën pa asnjë komunikim dhe menjëherë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

I pyetur nga anëtarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi se a ka pasur ndonjë komunikim me të akuzuarit para shkrepjes së armës, pasi që në deklaratën në polici kishte thënë se Xhaferi ka sharë, Muja u përgjigj se nuk i ka dëgjuar duke sharë.

Po ashtu, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Zeqaj, dëshmitari Muja tha se Amirin e ka pasur 9 vite në klasë dhe kanë vazhduar shoqërinë edhe në shkollë të mesme.

“Kurrë s’jena dalë pa njëri-tjetrin”, shtoi Muja.

Anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Ngadhnjim Arrni, e pyeti dëshmitarin nëse në deklaratën e tij të dhënë në polici të cilën edhe e lexoi kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi, ka ndonjë pjesë të vërtetë, kurse Muja u përgjigj se diçka ka të vërtetë, por nuk i kujtohet se çka.

Ndërkaq, dëshmitari deklaroi se kur ka dëgjuar dy të shtëna, i ka humbur vetëdija deri në momentin kur e kanë zgjuar familjarët.

Seancat e radhës për këtë çështje pritet të mbahen më 1 dhe 7 shkurt 2023.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi po akuzohen se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Aktakuza thotë se të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja, i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë drunj, për ta marrë traktorin dhe për të ngarkuar drunjtë të cilat kanë qenë duke i prerë në mal.

Më pas, aktakuza thotë se Amiri e ka pyetur Valdrinin se “çka jeni duke bërë” dhe se i njëjti i tregon se janë duke prerë drunj në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë drunjtë, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.

Related Articles