Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Gazmend Gjyshinca, ka thënë se aplikimi në Këshillin e Evropës është bërë në koordinim të plotë me aleatët e Kosovës.
Gjyshinca ka ngritur një paralele, sa i përket aplikimit në organizata ndërkombëtare, duke thënë se qeveria e tanishme dallon nga qeveritë e kaluara, në organizimin nëpërmjet dy elementeve.
“Përderisa Kosova e ka qeverinë e re, kemi edhe një ndryshim të situatës gjeopolitike në botë”, ka shtuar ai.
Ndërsa, ai beson se elementet e lartpërmendura do ta ndihmojnë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës duke pasur përkrahjen e vendeve anëtare dhe atyre perëndimore.
“Ne jemi duke punuar ngushtë me miqtë e Kosovës, të cilët kanë qenë lobuesit për të drejtat tona, që nga fillimi”, ka thënë Gjyshinca në emisionin FIVE.
Ndër të tjerash Gjyshinca, ka theksuar se, kjo çështje nuk është definitive, por sipas tij, ka mundësi që të ndryshojë agjenda e Këshillit të Ministrave, të cilët do të mblidhen të premten.