GLPS thotë se bllokada institucionale i kushtoi Kosovës me mosanëtarësim në KiE

GLPS thotë se bllokada institucionale i kushtoi Kosovës me mosanëtarësim në KiE

Grupi për Studime Juridike dhe Politike të mërkurën ka thënë se si pasojë e bllokadës institucionale, Kosovës dështoi të antarësohet në Këshill të Evropës, raporton Gazeta Enigma.

Në një reagim të mërkurën, GLPS tha se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës u mblodh në Luksemburg për takimin vjetor, por s’u diskutua kërkesa për anëtarësim të Kosovës, duke shtuar se kjo situatë erdhi “si rezultat i paaftësisë së forcave politike parlamentare”.

“Më 13 e 14 maj, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës u mblodhën në Luksemburg në takimin e tyre vjetor. Fatkeqësisht, në këtë takim nuk u diskutua kërkesa për anëtarësim e Kosovës e cila ka mbetur peng që nga viti i kaluar. Kjo situatë vjen në mes tjerash, si rezultat i paaftësisë së forcave politike parlamentare për kompromis për formimin e një legjislature dhe qeverie stabile pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti”, thuhet në reagim.

Tutje nga GLPS kanë bërë thirrje që të tejkalohet kjo situatë.

“GLPS dëshiron të rikujtojë se me mos trajtimin e aplikimit tani, votimi i radhës shtyhet për në maj të vitit të ardhshëm. Duke marrë parasysh kontekstin e luftës në përfundim e sipër në Ukrainë, nuk është larg mendsh që deri në maj të vitit të ardhshëm Rusia të riinstalohet si anëtar i KiE, gjë që praktikisht do ta pamundësonte anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë. Prandaj GLPS shfrytëzon rastin që edhe njëherë të bëjë thirrje për përgjegjësi politike nga të gjithë forcat politike parlamentare dhe themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të qëndrueshme, forta dhe stabile në mënyrë të ruhet interesi afatgjatë politik, ekonomik dhe financiar i vendit”, thuhet në reagim.

Related Articles