GLPS thotë se rishpalljen e konkursit për sekretarin e Kuvendit është “shkelje ligjore”

GLPS thotë se rishpalljen e konkursit për sekretarin e Kuvendit është “shkelje ligjore”

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar të enjten duke shprehur shqetësim lidhur me vendimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për rishpalljen e konkursit për pozitën e sekretarit të Përgjithshëm, të marrë më 30 mars, raporton Gazeta Enigma.

Sipas kësaj organizate “vendimi përbën shkelje ligjore, pasi Kryesia ka anashkaluar procesin e rregullt të rekrutimit, duke mos përzgjedhur asnjërin nga kandidatët e ligjshëm dhe duke rishpallur konkursin pa u përfunduar procedura ligjore”.

Sipas GLPS, anulimi i konkursit mbi bazën e vetme të mungesës së votave, pa verifikuar shkelje të tjera ligjore, krijon një precedent të rrezikshëm që minon meritokracinë, profesionalizmin, depolitizimin dhe mosdiskriminimin – parime themelore të shërbimit civil.

Grupi gjithashtu thekson se ky veprim cenon të drejtat dhe pritshmëritë e kandidatëve fitues dhe mund të dekurajojë aplikime të ardhshme për këtë pozitë.

GLPS-ja i ka bërë thirrje Kryesisë së Kuvendit të rishqyrtojë vendimin dhe të përmbyllë procesin përmes emërimit të njërit nga kandidatët fitues, në përputhje me ligjin.

Çdo veprim tjetër, sipas GLPS, përveç që është i paligjshëm, cenon edhe rendin juridik dhe parimet e pranimit në shërbimin civil.

Related Articles