Një lëvizje interesante politike ka ndodhur në komunën e Junikut.
Nënkryetari i Komunës, Besart Tofaj, i cili në zgjedhjet e fundit kandidoi për kryetar komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Junik,
Lajmi u bë i ditur nga kandidati i LDK-së për kryetar komune, Ruzhdi Shehu, përmes një postimi në Facebook.
“Nënkryetari Besart Tofaj ka dëshmuar përkushtim, integritet dhe profesionalizëm të lartë gjatë katër viteve të bashkëqeverisjes. Aderimi i tij në LDK është dëshmi e përputhjes së vlerave dhe vizionit tonë për një Junik më të zhvilluar dhe më të drejtë”, thuhet në njoftim.
Sipas Shehut, Tofaj përfaqëson një prurje të fuqishme për partinë, duke shtuar se ai do të jetë një shtyllë e rëndësishme në ndërtimin e politikave zhvillimore dhe qeverisëse të LDK-së në këtë komunë.
Kjo lëvizje shihet si një goditje e rëndë për Vetëvendosjen në Junik, e cila tashmë humb një nga figurat e saj kryesore në nivel lokal.