Grabitja e shoferit të “Postman” në Ferizaj: Bie në pranga edhe një i dyshuar

Grabitja e shoferit të “Postman” në Ferizaj: Bie në pranga edhe një i dyshuar

Pas gati pesë muajsh në arrati, para pak ditësh Policia ka arritur ta arrestojë njërin nga personat e dyshuar për grabitjen e armatosur që ndodhi në muajin mars, në fshatin Bablak të Ferizajt. E në vazhdën e zhvillimit të hetimeve, është arritur që të arrestohet edhe një i dyshuar.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, kanë siguruar prova të mjaftueshme dhe kanë identifikuar të dyshuarin e dytë G.I 33-vjeçar.

I dyshuari është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore, ndërsa në kërkim policor mbetet edhe personi i tretë, tashmë i njohur për policinë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se i arrestuar i parë është Amir Bekteshi, 21-vjeçar, i cili u kap në banesën e tij në Ferizaj.

Me rastin e kontrollit policor, iu gjet edhe arma e zjarrit, kallashnikov, që dyshohej se i njëjti e kishte përdorur për kanosjen e viktimës që e grabitën.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles