Marketet në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët, ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Vjedhjet e grabitjet shpesh kryhen edhe nën kërcënimin e armës, duke ua rrezikuar jetën punëtorëve. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në marketin “Miri” në Gjakovë.
Sinjali mëson se rasti është denoncuar nga punëtorja e marketit, e cila njoftoi Policinë se dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda lokalit dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur që t’ua marrin të gjitha paratë e pazarit ditor.
Me t’u raportuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Burimet thonë se punëtorja që u përballë me hajnat, ka rrëfyer para zyrtarëve policorë në detaje se si ndodhi grabitja për pak minuta dhe të dyshuarit u zhdukën shumë shpejtë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.