Analisti i njohur politik, Xhavit Drenori, e vlerëson aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese si “skandaloz”, pasi deputetëve iu është imponuar që të votojnë jashtë vullnetit të tyre, në rastin për nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb.
Si zgjidhje në këtë situatë, Drenori thotë se të gjitha partitë duhet të merren vesh që nënkryetarët të votohen përnjëherë në pako, në mënyrë që të mos bëhet e madhe votimi pro një kandidati nga Lista Serbe.
“Aktgjykimi është skandaloz, sepse ua ka imponuar deputetëve të votojnë jashtë vullnetit të tyre. Pra, nuk ka lënë hapësirë tjetër, pos të votohet nënkryetari nga Lista Serbe. Kurti ka deklaruar se do t’i thërrasë partitë e tjera për koordinim, pra një lloj marrëveshjeje për Presidentin, dhe besoj që në këtë pako do të duhej të hynte edhe kjo çështje, që të gjitha subjektet politike të dakordohen që nënkryetarët të votohen në pako dhe në këtë mënyrë të mbulohet pak a shumë fakti që votohet dikush nga Lista Serbe”, tha Drenori për Gazetën Enigma.
Nëse nuk ka marrëveshje paraprake, Drenori druan se Vetëvendosja mund të mos votojë pro një nënkryetari nga Lista Serbe.
“Pastaj varet nga partitë e tjera se a e votojnë apo jo. Nëse nuk e votojnë, është e qartë që do të ngecet konstituimi në këtë pikë. Unë shpresoj që kjo të kalohet e të mos kemi bllokadë, megjithatë mbetet të shihet”, deklaroi tutje ai.
