Gratë dominojnë në rritjen e arsimit në Kosovë

Gratë dominojnë në rritjen e arsimit në Kosovë

Regjistrimi i popullsisë i vitit 2024 ka sjellë lajme pozitive për sektorin e arsimit në Kosovë, duke dëshmuar një transformim të thellë gjinor gjatë dekadës së fundit, shkruan Enigma.

Sipas krahasimit të të dhënave nga regjistrimet e vitit 2011 dhe 2024, është vënë re një rritje e konsiderueshme e numrit të grave me arsim të lartë.

Tabela tregon se numri i banorëve me nivel të arsimit bachelor është rritur më shumë se dyfish (nga 75,000 në 169,000), me një rritje të ndjeshme të numrit të grave që kanë përfunduar këtë nivel studimesh. Për herë të parë, numri i grave me diplomë bachelor është më i madh se ai i burrave, duke reflektuar një ndryshim të dukshëm në përfshirjen gjinore në arsim.

Një tjetër arritje është rritja e numrit të banorëve me nivel të arsimit master, i cili thuajse është pesëfishuar (nga 9,000 në 43,000). Në këtë kategori gjithashtu, gratë përbëjnë shumicën.

Edhe niveli i doktoraturës ka njohur një rritje të madhe, ku numri i banorëve me doktoratë është katërfishuar. Ndërkohë, hendeku gjinor është ngushtuar, edhe pse ende ka më shumë burra se gra në këtë nivel të lartë arsimor.

Ky transformim është një dëshmi e përparimit të Kosovës në fushën e arsimit dhe fuqizimit të grave.

/ Gazeta Enigma/

Related Articles