Edhe Greqia e ka bërë të detyrueshëm vaksinimin ndaj Covid-19 të personelit shëndetësor. Njoftimi erdhi nga kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, teksa vala e katërt e pandemisë shfaqet në horizont.
Qeveria e tij prezantoi dhe masat e reja kufizuese në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit, momentalisht në rritje nga varianti delta. Vetëm klientët e vaksinuar do të lejohen brenda bareve, kinemave, teatrove dhe hapësirave të tjera të mbyllura.
Detyrimi për vaksinim do të aplikohet menjëherë për stafin e qëndrave të përkujdesjes, ndërsa punonjësit e shëndetësisë do të imunizohen duke nisur nga 1 shtatori. Ata që refuzojnë mund të përballen me pezullim nga puna.
“Është e nevojshme që deri në fund të gushtit, 70 për qind e të rriturve të jenë vaksinuar”, theksoi kryeministri grek.
Mitsotakis paralajmëroi se shfaqja e variantit delta e bën edhe më të domosdoshëm mbrojtjen ndaj koronavirusit me anë të vaksinave.
Ndërsa, të detyrueshëm vaksinimin për punëtorët shëndetësorë tashmë e ka bërë edhe Franca.