Gruaja e pushtetarit të famshëm Mefail Bajqinovci nuk do të jetë më infermiere e thjeshtë në SHSKUK. Ajo tash e tutje do të jetë shefe. Konkretisht shefe e infermiereve të një reparti.
Sevime Kamberi-Bajqinovci është përzgjedhur kryeinfermiere në repartin e Patologjisë në kuadër të Klinikës së Gjinekologjisë.
Për të kuptuar nëse drejt avancimit të saj nga mamie në kryeinfermiere ka ndikuar bashkëshorti i saj, deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, gazeta ka provuar të marrë një përgjigje nga ky i fundit.
I njëjti, fillimisht ia ka hapur telefonin redaksisë duke kërkuar që pyetjet t’i përcjellën me shkrim. Pyetjet, janë dërguar por deri në këto momente nuk kemi pranuar përgjigje.
Përzgjedhjen e Sevime Kamberi-Bajqinovcit në krye të repartit të Patologjisë për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar drejtori i Klinikë së Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj. Derisa e vlerësoi Kamberi-Bajqinovcin si kandidaten më të mirë për këtë pozitë.
“Kandidatja të cilën e cekni ju (Sevime Kamberi-Bajqinovci) në testin të cilit ju ka nënshtruar ka treguar sukses shumë të mirë dhe ka plotësuar kushtet më shumë në krahasim me kandidatët tjera për t’u përzgjedhur”, tha Ndrejaj.
Drejtori shtoi se për pozitën të cilën ka kandiduar bashkëshortja e Bajqinovcit, nuk ka asnjë ankesë.
“Ne atë pozitë ku ka kandiduar ajo nuk ka asnjë ankese apo vërejtje nga kandidatët tjerë”, u shpreh ai.
Sipas tij, janë përzgjedhur kandidatët të cilët kanë treguar njohuri më të larta dhe të mjaftueshme në testin me shkrim dhe intervistën me gojë.
Sevime Kamberi-Bajqinovci është vlerësuar me 59.5 pikë në testin me shkrim dhe 25.1 pikë në intervistën me gojë, në total gjithsej 84.6 pikë.
Në konkursin e hapur me 23 mars për Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK janë përzgjedhur edhe shefat për 10 reparte.