Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i ka reaguar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit të VV-së, i cili insistoi se pyetja e deputetëve për votim të fshehtë ose jo në seancë konstituive do të ishte shkelje kushtetuese.
Sipas Grudës, Dehari më në fund pranoi një të vërtetë nga aktgjykimi i Kushtetueses se në seancën konstituive nuk lejohen mocione procedurale.
“Por, për fat të keq, nuk pati guximin ta lexojë aktgjykimin deri në fund. Paragrafi 187 i aktgjykimit thotë qartë: (…)zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV (Konstituimi i Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”..
“Cila ka qenë ajo praktikë e deritanishme parlamentare? Votimi i hapur. Gjithmonë”, shkroi Gruda.
Sipas deputetit të PDK-së, Dehari nuk ka të drejtë ta hedhë në votim propozimin për Komision për Votim të Fshehtë, sepse sipas tij, kjo shkel drejtpërdrejt paragrafin 187 të aktgjykimit kushtetues.