Gruda: Kufizimi deri në tre herë për kryetarin e Kuvendit ka bazë kushtetuese e krahasimore

Gruda: Kufizimi deri në tre herë për kryetarin e Kuvendit ka bazë kushtetuese e krahasimore

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka sqaruar arsyet pse Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e djeshëm vendosi që një deputet mund të votohet vetëm tri herë për kryetar të Kuvendit.

Duke iu përgjigjur reagimeve të shumta nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me këtë çështje, Gruda ka theksuar se numri tre nuk është zgjedhur rastësisht.

Në profilin e tij në Facebook, ai shpjegon se ky kufizim bazohet në argumente logjike dhe krahasimore të pranuara në doktrinën kushtetuese.

“LVV, në reagimin e saj ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila kufizoi në vetëm tri herë të drejtën e votimit për të njëjtin kandidat për Kryetar të Kuvendit, paska thënë: ‘Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë? Ku është lidhja kushtetuese dhe doktrinare me numrin tre?’ Përgjigjja është se lidhja ekziston, dhe ajo bazohet në parimet dhe metodat e interpretimit kushtetues.”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje të mëtejshme.

“Një nga metodat që përdoret për interpretimin kushtetues është metoda e analogjisë, e cila shfrytëzohet kur ka paqartësi ose boshllëqe në normat kushtetuese. Kjo vlen edhe për Kushtetutën e Kosovës, e cila nuk përcakton qartë sa herë mund të votohet në Kuvend për të njëjtin kandidat për kryetar. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese ka vendosur numrin ‘tri herë’, duke u bazuar në dy analogji kryesore: 1. Analogjia e parë: Kushtetuta e Kosovës parashikon tre raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit. 2. Analogjia e dytë: Praktika e kushtetutave të shumë vendeve evropiane, të cilat parashikojnë kufizime të ngjashme në raste të këtilla. Pra, numri tre nuk është zgjedhur rastësisht, por mbi baza logjike dhe krahasimore të pranuara në doktrinën kushtetuese.”, ka shtuar ai.

Related Articles