Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka shpjeguar se çfarë parasheh projektligji i propozuar nga kjo parti për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Gruda tha se procesi i Apelit për rastin e ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë në Hagë, ndërsa sipas tij, në rast se vendimi dënues vazhdon edhe pas Apelit, çështja do të kalojë në Gjykatën Supreme të Kosovës.
“Apeli aktual ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon në Hagë për një vit e gjysmë, dy, sado që të zgjatë. Pas Apelit, nëse do të ketë vendim dënues, gjyqi në Supreme zhvillohet në Kosovë. Nëse do të ketë rigjykim, prapë ajo kthehet në Kosovë”, ka deklaruar Gruda.
Ai theksoi se shkalla e dytë do të zhvillohet në Hagë, ndërsa nëse çështja vazhdon në shkallën e tretë, sipas tij, ajo do të shqyrtohet nga Gjykata Supreme në Prishtinë.
“Shkalla e dytë, Apeli zhvillohet në Speciale. Nëse vendimi del fajësues dhe vazhdon në shkallën në Supreme, nuk vazhdon në Supremen e Hagës, vjen në Supremen e Kosovës në Prishtinë”, u shpreh ai.
Gruda tha se një nga arsyet pse Apeli është paraparë të mbetet në Hagë lidhet me pritjet e ekipit mbrojtës për këtë fazë të procesit.
“Avokatët kanë shpresë që në apel mund të fitojnë. Ata kanë qasje në aktgjykim tashmë, ne publiku s’kemi qasje, kanë qasje dhe me gjasë ata kanë parë shkelje që janë tepër skandaloze të cilat besojnë që në apel mund t’i rrëzojnë”, tha ai.
Sipas Grudës, projektligji parasheh edhe mundësinë e monitorimit ndërkombëtar të punës së Gjykatës Speciale përmes mekanizmave që do të angazhoheshin nga Kuvendi i Kosovës.
“Me këtë ligj, në momentin që jemi në fuqi, menjëherë e prodhon pasoja juridike, Kuvendi i Kosovës mund të angazhojë kompani ndërkombëtare, universitete të njohura, institute që ta mbikëqyrin punën e Gjykatës Speciale tash në shkallën e dytë”, ka thënë Gruda.
Ai shtoi se monitorimi do të bëhej gjatë gjithë procesit të Apelit, përmes instituteve, universiteteve dhe organizatave që do të angazhoheshin nga Kuvendi.
“Nëse në shkallën e dytë ne do të kemi të miratuar ligjin, ne do të kemi të monitoruar gjithë kohën punën e Apelit me institute, me universitete, me organizata, me trupa që i themelon Kuvendi, çdo gjë do të jetë transparente. E kemi bërë këtë për dy arsye. E para, sepse transparenca do të garantojë edhe drejtësi”, deklaroi Gruda.
