Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se nuk e ka parë reagimin e Speciales lidhur me miratimin e ndryshimeve në ligjin për këtë gjykatë në Hagë, por theksoi se Kuvendi “nuk ka nevojë ta pyesë atë”.
“Kuvendi i Kosovës nuk ka nevojë ta pyesë Gjykatën Speciale për nismat e veta ligjore”, tha Gruda në një konferencë për media.
Ai theksoi se “ky është standard i ditur civilizues” dhe se “organi ligjvënës nuk e pyet organin gjyqësor për ndryshime të tilla”.
Gruda tha se kushdo që ka dilema për kushtetutshmërinë e ndryshimeve në atë ligj, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në Kosovë.
“Nëse dikush ka dilema për kushtetutshmërinë e këtij ligji, e ka një adresë: Gjykatën Kushtetuese të Kosovës në Prishtinë. Dhe amandamenti që propozuam dje, vetëm sa e ka përforcuar këtë”.
Gruda tha se amandamenti “e saktëson që Dhoma Kushtetuese në Hagë mund të kontrollojë vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet që dalin nga vendimet, nga puna e dhomave paraprake dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, por jo vendimet e Kuvendit të Kosovës”.
