Grupi organizativ i protestës “Asnji cent më shumë” do të protestojë kundër vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës.
Protesta do të mbahet më 22 shkurt nga ora 11:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, shkruan Gazeta Enigma.
Ata kanë ftuar qytetarët që të bashkohen në protestën e të martës, për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.
“Nga 9 shkurti 2022, me vendimin e ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës, çmimi i rrymës është shumëfishuar. Nëse një ekonomi familjare ka shpenzuar mbi 800 kËh rrymë, çmimi i energjisë elektrike do t’i rritet nga 40% deri në 130%. Një pjesë të kësaj rritjeje ne do e paguajmë direkt përmes faturës së rregullt e pjesën tjetër do e paguajmë përmes parasë tonë publike. Kjo pasi që Qeveria ka vendosur që 90 milionë euro tonat t’i shkojnë KEDS-it përmes subvencionimit. Në të gjitha format, ne po paguajmë që KEDS e KESCO të vazhdojnë ta rrisin fitimin edhe në kohë krize”, thuhet në komunikatën e grupit protestues.
Sipas tyre, vendimi “i shkon për shtat veç sektorit privat, i cili vazhdon të pasurohet, pavarësisht krizave”.
Organizatorët thonë se vendimi e ka përfundimin varfërimin e shtresave të ulëta.
“KEDS-it nuk i mjaftojnë 17 milion euro fitim në vit por e ka bërë argat ZRrE-në dhe Qeverinë e Kosovës që nga ky vit kësaj kompanie private t’i shumëfishohet fitimi”.
Ndërsa paraqiti dy kërkesa kryesore: Anulimi i vendimit të ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës; Nacionalizimi i KEDS-it.