Drejtuesi i grupit ekstremist rus “Ujqërit e Natës” konfirmon se disa anëtarë gjenden në barrikada në veri të Kosovës.
Aleksandr Zaldostanov me anë të një postimi në Telegram ka shkruar se “Fitorja e Serbisë është fitorja e Rusisë”.
“Drejtuesi i ‘Ujqërve të Natës’, Aleksandr Zaldostanov ka njoftuar në kanalin e tij Telegram, se anëtarët e organizatës së tij, e cila është në listën e zezë të BE-së dhe SHBA-së, ndodhen në barrikada në veri të Kosovës. ‘Fitorja e Serbisë është fitorja e Rusisë’”, ka shkruar Zaldostanov.
Dhjetëra pjesëtarë të këtij grupi që kanë lidhje të ngushta me presidentin Vladimir Putin janë shfaqur në barrikadat në veri të Kosovës, të vendosura nga bandat kriminale që përkrahen nga regjimi i Beogradit, shkruan kp.
Ata shihen duke i dhënë përkrahje vendosjes së këtyre barrikadave, të vendosura një javë më parë, duke thënë se fitorja e Serbisë do të jetë po ashtu fitore e Rusisë.
Kjo organizatë ekziston që nga viti 1980, kur u themelua si një klub i dashamirëve të motoçikletës dhe muzikës rock.
Ata kanë zhvilluar lidhje të forta me Putinin, i cili shpesh në media i përshkruajnë si “miq”. Ky grup ekstremist janë pjesëmarrës të rregullt në marshimet nacionaliste, të financuara nga Kremlini dhe thellësisht të përfshirë në strukturën e Kishës Ortodokse Ruse.
Kur Putin erdhi në Beograd në vitin 2011 për një ndeshje mes Zenitit dhe Yllit të Kuq [Crvena Zvezda], Goran Jovanoviq – Fonza ishte ulur pranë tij në pjesën e personave VIP. Fonza është kryetar i degës serbe të këtij grupi ekstremist.
Këta janë të njohur për mbështetjen e tyre për serbët nga Kosova, por edhe për “punën e tyre humanitare” dhe mbështetjen për “Vëllezërit Ortodoks”.
Ish-presidenti serb Tomislav Nikoliq kishte pritur Zaldastanovin dhe ka marrë dhuratë prej tij një jelek të motorristëve me stemat e Serbisë dhe Rusisë. Ai është pritur edhe nga ish-patriarku Irinej. Ata janë fotografuar disa herë në prani të Milorad Dodikut dhe Aleksandar Vulinit.
Besohet gjerësisht se anëtarët e këtij klubi motoçiklistësh synojnë të nxisin ndjenjën anti-perëndimore në Ballkan, ku kanë lidhje të forta me politikanët pro-rusë në rajon.
Me fjalë të tjera, Kremlini këta i ka nxjerrë nga margjina për të përdorur pro-putinizmin e tyre, ortodoksinë dhe retorikën anti-amerikane. /KP/