Gjykata në Prishtinë, ka marrë vendim që ta liroi nga masa e paraburgimit liderin e grupit, që dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.
Burimet e Insajderit thonë se grupi, i cili që nga dita e arrestimit njihej si Grupi “Porosia”, sipas dosjes fillestare të Prokurorisë pranonte porosi nga persona të ndryshëm për kryerjen e veprave penale në këmbim të të hollave.
Lider i këtij grupi, po sipas kësaj dosje, konsiderohet të jetë Driton Sylejmani.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, rasti u bartë në atë të Gjilanit, por seancat e procedurës paraprake po mbahen në Prishtinë.
Edhe pse Driton Sylejmani konsiderohet lider i këtij grupi, sipas burimeve të Insajderit, ai më nuk është në paraburgim. Megjithatë, në paraburgim kanë mbetur tre personat që u arrestuan bashkë me Sylejmanin, Xhevdet Mehanaj, Hysni Hoxha dhe Terik Shalaku. Pas zgjerimit të hetimeve, në këtë rast ka edhe të arrestuar të tjerë.
Gjykata në Prishtinë ende nuk ka dalur publikisht me arsyetimin se pse i është ndërprerë paraburgimi personit që konsiderohet lider i grupit, dhe atë vetëm pak ditë pasi që i ishte vazhduar paraburgimi dhe kur po pritej shqyrtimi i ankesave të mbrojtësve për këtë vazhdim.
Sipas dosjes fillestare të Prokurorisë, që në atë kohë rastin e udhëhiqte prokurori Armend Hamiti, i dyshuari, Driton Sylejmani nga shtatori i vitit 2022 në vazhdimësi deri në ditën e arrestimin e tij ka pranuar porosi nga persona të ndryshëm për kryerjen e veprave penale në këmbim të parave.