Pep Guardiola i ka dhënë fund debatit për trajnerin më të mirë mes tij dhe ish-trajnerit të Manchester United, Sir Alex Ferguson.
Kur bëhet fjalë për trajnerët më të mirë të të gjitha kohërave, Guardiola dhe Ferguson zakonisht shoqërohen edhe nga emra të tjerë si Jose Mourinho, Carlo Ancelotti, Bob Paisley dhe Jurgen Klopp.
Guardiola ka fituar në total 12 tituj të ligës gjatë karrierës së tij si trajner, në Spanjë me Barcelonën, në Gjermani me Bayern Munich dhe në Angli me Manchester Cityn.
Sa i përket Ferguson, ai ka fituar 13 tituj të Ligës Premier gjatë 26 viteve të qëndrimit si trajner i Unitedit, duke shtuar këtu edhe tre tituj në Skoci mde Aberdeen.
Në skenën evropiane, 53-vjeçari ka të fituara tri Liga të Kampionëve, dy nga koha e tij tek Barcelona dhe një me Cityn në vitin 2023 ku fituan tripletën.
Guardiola sidoqoftë ka treguar respekt të madh për 82-vjeçarin, i cili u lirua nga roli i tij si ambasador i Manchester United javën e kaluar.
“Në këtë vend (Angli) dhe në të gjithë botën, Sir Alex Ferguson është më i miri. Për kohën, për ndryshimin e skuadrave, për trofetë”.
“Të jem afër njërit prej trajnerëve më të rëndësishëm të të gjitha kohërave është shumë e madhe”.
“Është një nder i jashtëzakonshëm për mua dhe për stafin, të gjithë asistentët dhe lojtarët që kam pasur”, përfundoi Guardiola.