Gucati: Kurti publikoi letrën sot për të fituar një grusht votash para balotazhit

Gucati: Kurti publikoi letrën sot për të fituar një grusht votash para balotazhit

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka cilësuar si “kalkulim politik” veprimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për publikimin e një letre të vitit 2022 drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në të cilën ai kishte kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Gucati ka thënë se publikimi i letrës vetëm katër ditë para balotazhit të 9 nëntorit ka për qëllim përfitimin e votave nga qytetarët dhe veteranët e UÇK-së.

“Është e vërtetë që punët e mira bëhen në heshtje, por besoj se Kurti e ka bërë sot publike këtë letër për shkak se tash komunat janë në balotazh dhe pritet të shkojmë edhe në zgjedhje të përgjithshme. Ai e ka bërë këtë për të marrë një grusht votash nga qytetarët e Kosovës dhe nga veteranët. Besoj fuqishëm se Kurti po e përdor këtë për kalkulime politike, gjë që është turp nëse është e vërtetë. Nëse ka dashur të tregojë përkrahje për ata që janë në Hagë, pse nuk e ka publikuar më herët, por pikërisht tani kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga balotazhi?”, ka deklaruar Gucati.

Ndryshe, Kurti është kritikuar në të kaluarën se nuk e ka ngritur zërin për ish-krerët e UÇK-së dhe që nuk i ka vizituar asnjëherë të katër figurat në Hagë.

Por, të mërkurën në një postim në Facebook ai tha se ka punuar “gjatë dhe në heshtje” për lirimin e tyre.

“Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por, ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet”, shkroi ai.

Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, asokohe në opozitë, e kishin kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Kurti e publikoi edhe një letër nga viti 2022, në të cilën i kishte kërkuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, lirimin e tyre.

“E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trendafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje”, shtoi Kurti.

Në letrën e tij, Kurti i kishte ofruar garanci Trendafilovës se autoritetet kosovare do ta mbikëqyrnin arrestin shtëpiak të tyre.

Asokohe, gjyqi ndaj tyre nuk kishte nisur ende.

Related Articles