Gucati viziton Thaçin dhe Veselin

Gucati viziton Thaçin dhe Veselin

Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Gucati tha se Thaçi dhe Veseli përkundër kushteve të vështira, ata po mbahen të fortë dhe me moral, e që sipas tij asnjëherë nuk treguan shenja të dobësisë,

Ndër të tjera, ai thotë se ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në paraburgim, megjithëse sipas ti, ata po qëndrojnë të palëkundur dhe të vendosur për të luftuar për drejtësinë, derisa e quajti dëshmi të forcës dhe guximit të tyre.

“Sot vizituam shokët dhe bashkëluftëtarët, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët ndodhen në Hagë. Pavarësisht kushteve të vështira, ata ishin të fortë me moral dhe asnjëherë nuk treguan shenja të dobësisë. Po mbahen padrejtësisht në paraburgim, por qëndrimi i tyre i palëkundur dhe i vendosur për të luftuar për drejtësinë është një dëshmi e forcës dhe guximit të tyre”.

“Ata nuk kanë lejuar që kjo situatë të ndikojë në besimin dhe qëndrimet e tyre, duke treguar se edhe në kushte të vështira, fryma e drejtësisë dhe e sakrificës mbetet e pandryshuar. Edhe pse janë të mbyllur, ata vazhdojnë të shpresojnë dhe të luftojnë për të vërtetën, ndërkohë që qëndrimi i tyre është një burim frymëzimi për të gjithë ne që besojmë në liri dhe drejtësi. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë të fortë dhe të palëkundur!”, ka shkruar Gucati.

Vizita e Gucatit vjen disa ditë para mbajtjes së protestës në Hagë, e cila do të zhvillohet të dielën në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen atje.

Related Articles