Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri ,ka komentuar reagimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili insistoi se votimi në seancën konstituive mund të jetë i fshehtë.
Guri tha se e gjithë Kosova e ka kuptuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese njëjtë dhe sipas tij, vetëm 48 deputetët e VV-së e kanë kuptuar atë ndryshe.
“E gjithë Kosova duke përfshirë edhe 52 organizata të shoqërisë civile që merren me drejtësi e politikë e kanë kuptuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese njëjtë, vetëm 48 deputetët e VV-së e kanë kuptuar ndryshe”, u shpreh ai.
Duket u thirrur në atë që thotë Gjykata tek pjesa për “praktikat e deritanishme”për konstituimin e Kuvendit, Guri tha se në asnjë praktikë të deritanishme nuk ka pasur votim të fshehtë.
“187. Rrjedhimisht, Gjykata marrë për bazë vlerësimin dhe konstatimet si më sipër konsideron që zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV (Konstituimi i Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
“Pra, e thekon qartë e shqip “praktikat e deritanishme” për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. E në asnjë praktikë të deritanishme nuk ka pasur votim të fshehtë”, u shpreh tutje Guri.