Guvernatori i ri taliban i provincës Helmand, i cili për disa vjet shërbeu si komandant në luftimet kundër forcave britanike në Sangin, i “mirëpret” vizitorët me një armë AK-47 mbi tavolinë. Sidoqoftë, ai këmbëngul se koha e luftimeve ka mbaruar.
Ai ka një porosi për britanikët dhe për pjesën tjetër të NATO-s: njihni talibanët si udhëheqës legjitimë të Afganistanit dhe pastaj kthehuni, por me para, jo me armë.
“Jemi ballafaquar me njëri-tjetrin në betejë, nuk patëm rastin që ta njihnim njëri-tjetrin në kohë normale. Tash mund t’i fitoni zemrat tona dhe të na bëni të lumtur, nëse e njihni këtë qeveri”, tha Talib Mawlawi, i cili kishte luftuar për talibanët herën e parë kur grupi e kontrolloi Afganistanin.
“Të gjitha ato shtete të huaja u futën dhe i vranë gratë, fëmijët e të moshuarit tanë dhe shkatërruan gjithçka. Tani, komuniteti ndërkombëtar duhet të na ndihmojë me ndihma humanitare dhe fokus në zhvillimin e arsimit, biznesit dhe tregtisë”, shtoi ai.
“Komuniteti ndërkombëtar i ndihmon vendet që e kanë përkrahjen e civilëve të tyre. Ne kemi sjellë siguri dhe e kemi përkrahjen e popullit, prandaj ata duhet të na ndihmojnë dhe ta njohin qeverinë tonë”, tha më tej Mawlawi.
Ai e ka kaluar pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit duke luftuar për ta marrë kontrollin në provincën Helmand. Gjatë kësaj periudhe, talibanët janë akuzuar se i kanë vënë në shënjestër civilët, përfshirë Elyas Dayee, i vrarë nga një shpërthim bombe në vjeshtën e kaluar, shkruan The Guardian.
Megjithatë, Mawlawi këmbëngul se njerëzit tani mund të rindërtojnë në paqe dhe se do të kenë mundësi ta fitojnë bukën e gojës. “Ka pasur luftime 20 vjet, prandaj do të marrë ca kohë për t’u kthyer në gjendjen normale”, tha ai.