Partia “Guxo” ka dënuar “dhunën e ushtruar nga grupi parlamentar PDK-së” në Kuvendin e Kosovës, sikur thuhet derisa kryeministri Albin Kurti po i informonte deputetët rreth shtrirjes së sovranitetit dhe ligjshmërisë në veri të vendit.
“Më pas dhuna u ushtrua edhe ndaj anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të grupit parlamentar VV/Guxo. Dukej qartë se ky veprim ishte zbatim i një skenari të shëmtuar e të planifikuar më parë”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik, i cili ishte themeluar nga Vosa Osmani, tani presidente e vendit.
“Autorët e sulmit dhe të dhunës duhet të përballen me drejtësinë”, thuhet në deklaratën të cilën e ka shpërndarë në Facebook, Donika Gërvalla-Schwarz, bashkëkryetarë e Guxo dhe zëvendëse e Kurtit.
Partia Guxo dënon në termat më të ashpër sulmin ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe dhunën e ushtruar sot nga grupi parlamentar PDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në kohën kur Kryeministri i Republikës së Kosovës, po informonte deputetët rreth shtrirjes së sovranitetit dhe ligjshmërisë në veri të vendit dhe rreth fillimit të implementimit të dakordimit me BE-në për shtensionimin e situatës në veri të vendit, deputetë të PDK-së sulmuan fizikisht Kryeministrin e vendit , ndërkohë që nuk i ndalnin as provokimet dhe fyerjet. Më pas dhuna u ushtrua edhe ndaj anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të grupit parlamentar VV/Guxo. Dukej qartë se ky veprim ishte zbatim i një skenari të shëmtuar e të planifikuar më parë.
Kjo dhunë në kuvend paraqet sulm të hapur ndaj shoqërisë demokratike dhe është e papranueshme. Partia Guxo dënon ashpër sulmet e deputetëve të PDK-së ndaj Qeverisë dhe ndaj deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Partia Guxo beson në fuqinë e debatit dhe të argumentit dhe angazhohet çdo ditë për një shoqëri demokratike dhe të integruar në strukturat euroatlantike duke përvetësuar dhe promovuar vlerat e saj. Opinionet e ndryshme politike asnjëherë nuk janë argument për veprime të dhunshme.
Autorët e sulmit dhe të dhunës duhet të përballen me drejtësinë.