Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka thënë se pas katër viteve, kjo komunë me të në krye do të jetë ndryshe.
Hajdari premtoi ndryshim në qeverisje, në qasje, në infrastrukturë dhe sipas tij, ai do të mbahet në mend për punë të mira që do t’i bëjë në Drenas.
“Pas katër vitesh do të mbahem për punë të mira që do t’ia bëj Drenasit. Rregullimin e çështjes së ujit që është një nga problemet kryesore. Do të mbahem mend për muzeun por edhe për qasjen e shërbimin”, tha ai në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se Drenasi është PDK, teksa e ftoi kundër-kandidatin e tij, Ramiz Lladrovcin, që të shkojë në debat me të dhe t’i përballin argumentet.
“Drenasi është PDK, pavarësisht tendencave që po do t’i thyej dikush. Drenasi nuk luan prej Partisë Demokratike të Kosovës. Nuk janë as hatri im, por janë të lidhur ngushtë me angazhimin që e kanë tash e 25 vjet për Partinë Demokratike të Kosovës dhe nuk thyhet Drenasi”.
“Do të ftoja që të na bësh një debat me Ramiz Lladrovcin. Ai po i ik debatit dhe ai duhet ta dijë që garën e ka me mua. Atij po i jepet mundësia që të del në studio televizive veç vet por unë e ftoj që të bëjmë debat në bazë të argumenteve, dokumenteve dhe e kemi kollaj”, tha ai.