Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka folur në lidhje me raportin mes kryetarit aktual të komunës, Ramiz Lladrovci, që po kandidon edhe për një mandat përmes iniciativës “Për Drenasin Kampion”, dhe kandidatit të PDK-së për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku.
Në Rubikon të Klan Kosovës, Hajdari tha se Lladrovci edhe në fushatën e vitit 2021 e ka akuzuar në vazhdimësi Lushtakun, e pas përfundimit të tyre, ka shkuar të bëjë foto me të.
“Në vendimet e mia, as Sami Lushtaku e askush nuk mundet me më udhëheqë dikush prej një komune tjetër. Ne i mirëpresim të gjithë sepse e kemi fituar lirinë e pavarësinë, mundet me ardh me pi kafe. Mirëpo, [Ramiz Lladrovci] krejt fushatën më 2021 e ka bërë duke e akuzuar Sami Lushtakun. Pas përfundimit të zgjedhjeve, po i njëjti shkon me vrap pret me orë të tëra me ba një foto me Sami Lushtakun. Pas zgjedhjeve të 2021, me vrull shkojnë e bëjnë një foto bashkë në zyrën e kryetarit nëse nuk gaboj, kryetarit Fadil Nura, e bëjnë foton me Sami Lushtakun. Kie parasysh, PDK e ka një qëllim: unifikimin e të gjithëve, jo përçarjen. Këtu kemi të bëjmë me mos korrektësi, sepse tërë fushatën e ka bërë kundër se ka me ardh me vendosë ai, e kur kryhen zgjedhjet po i njëjti shkon dhe bën foto me Sami Lushtakun”, tha Hajdari.
Ai potencoi se dyshja Lushtaku-Lladrovci janë miq tash e 40 vjet, teksa u shpreh i bindur se do të jetë fitues i kësaj gare në Drenas.
“Sami Lushtaku dhe Ramiz Lladrovci janë shokë qe 40 vjet. Unë të dy i njoh, me njërin jemi në garë politike që kam me mujt më 12 tetor, dhe ai tjetri e ka garën e vet, mundësinë e vet, komunën e vet, dhe asnjëherë nuk ka me vendosë as ai e askush tjetër, sepse politikën prej moshës 16-vjeçare nuk e kam bërë me borxhe. Përgjegjësi i jap vetëm qytetarëve të Drenasit, Zotit dhe ligjit, askujt tjetër”, u shpreh Hajdari.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit tha se beson se Lushtaku do ta fitojë Skenderajn.