Rozeta Hajdari, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, sipas aktakuzës 106-faqëshe të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kishte hapur një grup komunikimi në platformën “WhatsApp” për skandalin e rezervave shtetërore.
Në pjesën e katërt të aktakuzës në fjalë, të cilën e ka siguruar Klan Kosova, thuhet se Hajdari ishte ajo që e kishte hapur grupin në këtë mjet komunikimi, ku ishin të përfshirë edhe Irfan Lipovica, zëvendëssekretar i përgjithshëm, Hafiz Gara, drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave, si dhe Ridvan Muharremi në cilësinë e personit jozyrtar.
Prokuroria thekson se në këtë grup të gjithë zyrtarët e lartcekur, përfshirë edhe ministren e Kurtit, “me dashje i kanë kumtuar, duke ia vënë në dispozicion informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore”, Ridvan Muharremit.
Tutje, aktakuza thekson se Hajdari, Lipovica dhe Gara, duke e ditur se është shkelje ligjore ndarja e informacioneve për deponimin e rezervave shtetërore, i tregojnë të tre në grup Muharremit për “deponimin e grurit”.
Pjesa e plotë e siguruar nga aktakuza në fjalë:
IV. Të pandehurit Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara:
Në cilësinë e personave zyrtarë, përkatësisht Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres, Irfan Lipovica në cilësinë e zëvendëssekretarit të përgjithshëm dhe Hafiz Gara në cilësinë e drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës (MINT), pa autorizim kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare, ashtu që, duke qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave përbën sekret shtetëror sipas nenit 9 të Ligjit nr. 03/L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave, me dashje i kanë kumtuar, duke ia vënë në dispozicion informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore personit jozyrtar, të pandehurit Ridvan Muharemi. Në atë mënyrë që fillimisht personi Ridvan Muharemi, me datë 25.03.2025, përmes aplikacionit “WhatsApp”, në grupin e krijuar për komunikim nga e pandehura Rozeta Hajdari, ku ishin të përfshirë edhe i pandehuri Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, në ora 14:00 i njofton të pandehurit se kishte siguruar një operator ekonomik, fjala është për N.T.P. [REDAKTUAR], për deponim të grurit, me ç’rast i ka dërguar edhe numrin kontaktues të telefonit [REDAKTUAR], i cili i përket personit [REDAKTUAR], përfaqësues i N.T.P. [REDAKTUAR], i cili me datë [REDAKTUAR] ka nënshkruar kontratën me nr. prot. [REDAKTUAR] për shërbimin e deponimit të grurit si rezervë shtetërore me MINT, përfaqësuar nga i pandehuri Irfan Lipovica, nga ku rezulton se, me vet pranimin e propozimit të personit Ridvan Muharemi, të pandehurit kanë zbuluar vendndodhjen e deponimit të rezervave shtetërore për personin e paautorizuar, edhe pse kanë qenë në dijeni se një gjë e tillë përbën sekret shtetëror, me ç’rast, si rezultat i këtyre veprimeve, të pandehurit kanë rrezikuar seriozisht interesin publik dhe sigurinë fizike të rezervave shtetërore. Me këto veprime, të pandehurit, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 (par. 1) lidhur me nenin 31 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Hajdari është pyetur sot nga gazetarja e Klan Kosovës, Qendresa Bellagoshi, për çështjen e hapjes së këtij grupi; e njëjta fajin për këtë grup ia la AKI-së.
“Para se të krijojmë komunikime me operatorët ekonomikë, MINT ka konsultuar një institucion përkatës për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, që është AKI-ja. Në bazë të konsultimeve dhe rekomandimeve me AKI-në, kanë filluar dy procese. Një proces ka qenë nga rekomandimi i AKI-së që, derisa është situata urgjente, të shkohet në procedurë të shpejtë me udhëzimet që i ka dhënë AKI-ja; janë udhëzime sekrete këto që nuk mundem t’i tregoj”.
“Pastaj të filloni në procedurën më afatgjatë, që duhet të konsolidohet, pra të pajisen edhe ata zyrtarë të Departamentit të Rezervës Shtetërore, që nuk kanë, të pajisen me certifikatë të sigurisë në kohën prej gjashtë muajsh.”
Në fund ajo sërish përmend AKI-në: “Asnjë operator ekonomik që ka pasur komunikime dhe negocime me komisionin e ministrisë për blerjen e rezervave shtetërore nuk ka guxuar as të krijojë grup në WhatsApp, qoftë as unë, qoftë as ata, pa nënshkruar dokumentet që janë kërkuar sipas udhëzimeve të AKI-së; pra jemi sipas udhëzimeve të AKI-së për të mbrojtur sekretin shtetëror”.
Hajdari dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica e Hafiz Gara dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrën me qëllim që të përfitonin pasuri dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit gjatë muajve shkurt dhe mars 2022, një dëm prej rreth 3 milionë euro.
Ata dyshohet se kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në vendin tonë.
Ndërsa i akuzuari i katërt, Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M”.
Sipas aktakuzës, Muharremi më pas u kishte krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.
