Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Kështu e ka pësuar së fundi një familje në Prizren, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës për të hetuar rastin.
Sinjali mëson se persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë, ku kanë demoluar dhomat e gjumit dhe kanë arritur që të vjedhin para të gatshme dhe stoli ari.
Bazuar në dëshminë e pronarit të shtëpisë, vlera e parave të vjedhura është rreth 7 mijë euro, ndërsa stolitë e arit kapin vlerën e rreth 9 mijë eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.