Xhamitë në qytete të ndryshme të Kosovës shpeshherë janë cak i hajnave, të cilët ua vënë syrin gjërave me vlerë.
Cak i hajnave janë më së shumti arkat e ndihmave e kasafortat e mbushura me para, por në raste tjera edhe gjësende tjera materiale
Një ngjarje e tillë ka ndodhur gjatë natës në xhaminë e Obiliqit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Xhamia e Hashanëve, duke theksuar se një person i panjohur ka hyrë me forcë, ka thyer xhamin dhe ka dëmtuar kasafortën ku ruheshin të hollat e dhuruara nga xhemati.
Sipas xhamisë, rasti i është raportuar menjëherë policisë dhe shpresojnë që përgjegjësi të identifikohet sa më shpejt.
Postimi i plotë:
NJË NGJARJE E DHIMBSHME PËR XHAMINË TONË
Të dashur vëllezër dhe motra,
Me zemër të rënduar ju njoftojmë se gjatë natës së sotme xhamia jonë është përballur me një akt të dhunshëm e të dhimbshëm.
Një person i panjohur ka hyrë me forcë në shtëpinë e Allahut, duke thyer xhamin dhe duke dëmtuar kasafortën ku ruheshin të hollat e dhuruara me sinqeritet nga xhemati ynë.
Ky është jo vetëm një dëm material, por edhe një plagë shpirtërore për të gjithë ne që e duam dhe e mbështesim këtë vend të shenjtë. Ndjehemi të pikëlluar që një akt i tillë ka ndodhur në një vend ku mbizotëron paqja, lutja dhe mëshira.
Rasti i është raportuar menjëherë policisë dhe shpresojmë që përgjegjësi të identifikohet sa më shpejt. Ju lusim që kushdo që mund të ketë parë apo dëgjuar diçka të na njoftojë.
I lutemi që Allahu ta ruajë xhaminë tonë dhe zemrat tona nga çdo e keqe.
Allahu ju shpërbleftë për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj!
