Një ndeshje e vogël aksidentale mes dy makinave në rrugën “Abedin Sogojeva” në Hajvali të Prishtinës, çoi në lëndimin e tre personave dhe arrestimin e dy prej tyre pasi u përfshinë në përleshje fizike mes vete.
Gjithçka dyshohet se nisi pasi të rinjët pas aksidentit nisën konfliktin verbal për të përfunduar me grushta e më pas edhe përfshirjen e familjarëve të të dyja palëve.
Sipas zëdhënëses së prokurorisë, Laureta Ulaj, gjatë rrahjes, u përdorën edhe armë zjarri e të ftohta.
Nga arma e zjarrit u plagos një person në këmbë ndërsa nga thika u lëndua një tjetër, e të dy përfunduan në spital, ndërsa i treti vetëm është trajtuar për tu liruar më pas.
Dy persona sipas Ulajt, kanë përfunduar në polici e me urdhër të prokurorit janë ndaluar nën dyshimin e tentim vrasjes, posedimit të armës pa leje, dëmtim e asgjësim të pronës, ndërsa një tjetër është intervistuar e liruar më pas.
Policia bashkë me prokurorinë janë duke e hetuar në detaje rastin.