Abazi i LVV-së kritikon Qeverinë: Po miratojmë buxhet pa strategji për energjinë

Abazi i LVV-së kritikon Qeverinë: Po miratojmë buxhet pa strategji për energjinë

Deputeti i partisë në pushtet, Haki Abazi, ka kritikuar ekzekutivin në disa fusha dhe ka kërkuar që disa kategori të trajtohen si të veçanta në buxhetin e ri.

Ai tha se me sabotimin që ka ndodhur në veri, largimin nga institucionet është e rëndësishme që spektri politik të jetë i unifikuar.

“Edhe buxheti shënon pikërisht këtë moment dhe kjo është arsyeja pse edhe unë sot jam këtu, përkundër faktit që i kam shpreh edhe publikisht pakënaqësitë e mia edhe për prioritetet, por edhe për sukseset e limituara në dikastere të ndryshme”.

“Unë dua t’i shkoqis disa çështje që duhet të jenë prioritet. Sigurimi jetësor për policët e Kosovës. 20 vite pas luftës, 14 vite pas pavarësisë është e pakuptimtë që shteti ynë të vazhdojë të ketë policë që nuk kanë sigurim jetësor”.

Ai tha se ata s’janë policë të një shteti ku s’ka krim e korrupsion, por pikërisht e kundërta, prandaj edhe rreziku për “policin tonë” është jashtëzakonisht i madh.

“E dyta, janë minatorët që janë futur në zgafella për ta shkundur themelin e Jugosllavisë dhe e kanë bërë. Shumica prej tyre jetojnë me 170 euro edhe sot. Është e padrejtë që një minator që ka dhënë gjithçka prej vetes së tij për interesin e shtetit të marrë pagë më pak se një shqiptar i ndershëm që ka qëndruar në pushtet në kohën e Millosheviqit dhe ka arritur kushtin për pension të plotë atëherë me ligj e në mënyrë urgjente që ata njerëz që kanë bërë më shumë se çdokush tjetër, të konsiderohen si kategori e veçantë”.

“E treta – deputetët e 2 korrikut. Një numër i tyre jeton në kushte të vështira, ata duhet të bëhen kategori me ligj në buxhetin e Kosovës, sepse janë njerëzit që kanë shënuar momentin më të rëndësishëm të deklarimit të popullit tonë për liri e pavarësi”.

Abazi u tregua kritik për Qeverinë edhe për mospasjen e një strategjie për çështjen e energjisë.

“Dua të them që është fatkeqësi të miratojmë buxhetin kur s’kemi strategji të energjisë së miratuar”.

Ai tha se vazhdon e njëjta situatë sikur në vitet e kaluara kur në pushtet kanë qenë të tjerët.

“Viti i ardhshëm s’duhet të na gjejë në këtë gjendje. Kemi humbje shumë të mëdha edhe në shfrytëzim edhe shpërndarje.  Nuk ka kuptim që Kosova të mos ketë panele solare në çdo shtëpi e zonë ku është e mundur që të përfitojmë nga energjia e erës dhe diellit”.

Po ashtu, ai tha se duhet të ketë reformë të administratës, për të cilën tha se është jonfunksionale.

Related Articles