Të martën pak para mesnatës, u dëgjuan të shtëna me armë zjarri në magjistralen Ferizaj – Prishtinë, ku një person u qëllua derisa po drejtonte veturën e tij.
I plagosuri Agim Spahiu, emër i njohur për organet e rendit u dërgua me urgjencë në spital, si pasojë e plagëve që mori, teksa i dyshuari akoma nuk është kapur. Sinjali ka mësuar motivin e incidentit, për të cilin tashmë Policia ka nisur hetimet.
Hakmarrja, dyshohet se është motivi që Spahiu, më parë i njohur si Agim Aliu, me nofkën “Morri i Bregut të Diellit” u plagos nga një person, që e përcolli dhe e gjuajti me armë.
Në bazë të informacioneve të para, i dyshuari kishte për qëllim që t’i lante hesapet me Spahiun, lidhur me një rast të mëhershëm për të cilin dyshohej ky i fundit.
Personi i dyshuar për tentim vrasjen e ‘Morrit’, ka qenë komplet i maskuar në momentin kur dyshohet të ketë kryer veprën, në mënyrë që të shpëtojë dhe të mos zbulohet.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve, ndërkohë që në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur dhe sekuestruar gjashtë gëzhoja që dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast.
Për rastin janë deklaruar edhe nga Policia Rajonale në Ferizaj, por akoma nuk ka detaje të tjera.
“Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën me targa vendore në magjistralen Ferizaj Prishtinë për shkaqe të panjohura ishte qëlluar me armë zjarri nga person/a të panjohur .Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore ku kanë gjete dhe sekuestruar 6 gëzhoja të fishekëve të armës së zjarrit. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili e ka bërë cilësimin e veprës penale, dhe ka urdheruar hapjen e hetimeve intensive”, thuhet në njoftimin e Policisë.