Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, deklaron se kryeministrti Albin Kurti duhet të shkojë më shpesh në Qendrën Klinike Universitare, sesa që është duke bërë.
“Propaganda e Kurtit seriozisht dëmton shëndetin”, nis postimi i Halimit.
Ajo shtoi se në sektorin ku nuk dihet kush është realisht ministër, ka nevojë për më shumë personel, pajisje dhe aparatura.
“Po të mos mungonte përkushtimi, nuk do të mungonin edhe gjërat më bazike, që nga higjiena, barnat esenciale e deri te dyert e prishura që nuk mbyllen. Pacientëve të goditur nga kriza e çmimeve – me rroga të zhvlerësuara, iu duhet të blejnë vetë shumëçka. Këta pacientë e kanë të pamundur të marrin shërbimin e duhur, nga mungesa e stafit të stërngarkuar e të keqpaguar”, shkroi ajo.
“Mirëpo të gjitha këto, nuk i interesojnë kryeministrit që e ka prioritet spektaklin; duke mos u marrë kurrë me përmbajtjen ai e ushqen vetëm krizën dhe propagandën”.