Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se është e pafalshme që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, të jetë kaq jodiplomatike dhe tërësisht e pakujdesshme në reagimet e saj.
Sipas saj, në një kohë kur të gjithë politikanët rezervohen në deklarime – që të mos ketë përshkallëzime – ministrja jonë e jashtme i hedh benzinë zjarrit.
“Përpos lëshimeve teknike e ngatërrimit të flamujve të shteteve, angazhimit të vobektë në njohjen e Kosovës, gabimet përmbajtjesore e deklarimet pa takt sikur ky i fundit, janë edhe më të rënda”.
“Kabineti i madh e me shumë këshilltarë, duhet të angazhohen dhe të konsultohen, para se të bëhen të tilla gabime të panevojshme”.
“Politika, dhe sidomos diplomacia, bëhet me urtësi e maturi, jo me temperament e vrull për t’u deklaruar, duke e vënë kësisoj shtetin tonë në pozitë të pafavorshme në politikën ndërkombëtare”.
Ky reagim i Halimit vjen pasi Gërvalla e fajësoi Rusinë për shpërthimet në Poloni ku humbën jetën dy qytetarë polakë.